Manastire, laguna, det e parqe arkeologjike! Përreth Fierit ndodhen disa nga destinacionet më të rëndësishme arkeologjike e natyrore të Shqipërisë, e ju do të keni vetëm vështirësinë e zgjedhjes!
1. Apollonia
Këtu ndodhet Parku Arkeologjik më i madh i vendit, dhe mund të shihni nga afër disa prej rrënojave më mbresëlënëse të antikitetit në Shqipëri, ku spikat Qendra Monumentale me Buleterionin e famshëm. Ciceroni pat folur për rëndësinë e qytetit të Apollonisë, e Oktavian Augusti shkollohej pikërisht këtu përpara se të bëhej Perandori i parë i Romës. E sikur të mos mjaftonin rrënojat apo objektet e rralla të mijëra viteve më parë, krishtërimi ka lënë gjurmët e veta në majë të kodrës, përmes Manastirit dhe Kishës së Shën Mërisë. Lexoni më tepër mbi Apolloninë në artikullin tonë këtu. Për hartën kliko këtu.
2. Parku Arkeologjik i Bylisit
Shumë pranë qytetit të Fierit apo Ballshit ndodhet një tjetër park arkeologjik tejet i rëndësishëm, ai i qytetit më të madh në Ilirinë e jugut, Bylisit. Nga shekulli i IV-t para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri në shekullin e V-të pas Krishtit, në Bylis u ndërtuan disa objekte madhështore të cilat kanë mbërritur deri më sot përmes rrënojave. Kështu, ju do mund të admironi rrënojat e teatrit, stadiumit, dy shëtitoreve, banesave të ndryshme, si dhe një pjesë të trashëgimisë paleokristiane më unike në vendin tonë. Për hartën kliko këtu.
3. Ardenica
237 metra mbi nivelin e detit e vetëm 8 km larg Lushnjës ndodhen kodrat e Ardenicës, të njohura për Manastirin e famshëm e peizazhet e jashtëzakonshme. Dyshohet se shumë përpara ndërtimit të Manastirit, aty gjendej një tempull pagan kushtuar Artemisës, prej nga do të rridhte dhe emri Ardenicë. Fillimisht ishte Kisha e Shën Triadhit, ajo që rreth shek. të X-të la gjurmën e parë të krishtërimit në këtë vend. Ndërtimi i Manastirit po këtu, me kërkesë të perandorit Andronik II Paleolog i Bizantit, filloi në vitin 1282 në një sipërfaqe që sot zë 2,500 metra katrorë.
E dhëna më interesante historike është ajo që e lidh këtë vend me Skënderbeun. Në prill të vitit 1451, Skënderbeu u kurorëzua në martesë me Donikën në altarin e këtij manastiri, në kapelën e Shën Triadhës. Kisha e Shën Mërisë është godina më imponuese e gjithë manastirit bizantino-ortodoks. E ndërtuar me gurë, kjo kishë tërheq me arkitekturën e saj të stilit bazilikal, me portikun e hapur me kolona e harqe si dhe këmbanoren e lartë prej 24 metrash. Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi zbukuruan ambjentet e brendshme të Kishës me afresket e tyre ndërsa ikonostasi i gdhendur në dru apo ikonat e Kostandin Shpatarakut i shtojnë bukurinë dhe vlerat kësaj kishe.
Gjatë shekullit të XVII-të – XVIII-të, Manastiri u bë i njohur dhe për bibliotekën e tij të pasur, ku numëroheshin me dhjetëra mijëra volume dhe gjatë Rilindjes Kombëtare manastiri u kthye në një vatër të rëndësishme të mësimit të gjuhës shqipe. Por, përtej vlerave të shumta që përmban, Manastiri ofron peizazhet të jashtëzakonshme që së largu përfshijnë deri Malin e Dajtit, Tomorin, apo detin Adriatik e Lagunën e Karavastasë!
Si të shkoni: Pranë Rrugës Kombëtare Lushnjë – Fier.
Për hartën kliko këtu.
4. Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta
Ky park është një ‘qytet’ i vërtetë ujor, me plot 228 lloje të ndryshme zogjsh që popullojnë gjithë zonën. I përbërë nga katër laguna (Karavasta, Godulla, Godulla e Pishës, Spiaxho), Parku falë vendndodhjes strategjike është i pasur me një larmi speciesh ku rol të veçantë zë simboli i parkut, pelikani kaçurrel (dalmat), që bën pjesë dhe në listën e shpendëve në ruajtje. Por shpendët janë vetëm një prej arsyeve se përse duhet vizituar parku. Pylli me pisha i Divjakës, Ishulli i Kularit, Dunat e Oazit të Divjakës Ishulli i Pelikanit, Kordoni litoral i Lagunës apo Pisha e Egër 400 vjeçare, janë disa prej monumenteve natyrore që ofrojnë peizazhe të mrekullueshme që nuk duhet t’i humbisni.
Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta, Fier, Burimi: balkaneu.com
Rruga për në park: Autostrada SH4 Durrës-Fier deri në rotondën e Cermës së Sipërme (38 km). Mandej merret rruga për Divjakë për 17 km.
Për hartën kliko këtu.
5. Plazhi i Semanit
Përmes një vije bregdetare prej 3.5 km, plazhi i Semanit ju pret me rërën e imët e pyjet e bukur me pisha që rrethojnë të gjithë zonën. Afërsia e Fierit me Vlorën, bën që ky plazh të lihet shpesh në harresë, edhe pse ofron kushtet e përshtatshme për pushime familjare falë dhe detit të cekët. Shërbime të ndryshme si bare e restorante apo çadrat e vendosura në rërë, ofrojnë kushtet e duhura për një qëndrim sa më shplodhës e të kënaqshëm. 18 km larg Fierit, plazhi i Semanit është vërtet shkëputja e duhur nga lodhja apo stresi urban. Për hartën kliko këtu.
